Vllaznia vijon të mbetet aktive në merkato. Deri më tani janë zyrtarizuar sulmuesi Ardit Hoxhaj dhe mbrojtësi maqedonas Aleksandër Isaevski.

Drejtuesit janë shprehur se në skuadër duhen të paktën edhe 7-8 lojtarë të tjerë dhe këto afrime duhet të nisin që nga porta. Dita e djeshme nuk ka pasur ndonjë hap konkret nga kuqeblutë, kjo ndoshta edhe për faktin se stafi teknik i skuadrës po shikon me imtësi çdo video të lojtarëve që priten të afrohen.

Për ta nuk ka shumë kohë për prova, por me sa duket po besohet më shumë te të dhënat e lojtarëve në sezonet e fundit. Për portën mësohet se vijojnë kontaktet me malazezin Bojan Zogoviç, i cili pritet të vijë të enjten në Shkodër për të konkretizuar marrëveshjen.

Burime në klub treguan për “Panorama Sport” se emri më i ri që ka dalë në skenë është ai i sulmuesit kosovar që luan në Suedi, Dardan Rexhepi.

Ky i fundit është një 28-vjeçar që bën pjesë te klubi Norbi. Bisedimet janë në fazën fillestare, por në klub shpresojnë se mund të arrihet akordi. Rexhepi në të shkuarën ka qenë pjesë e Malmos, ndërsa ka luajtur edhe për Haken, Gais dhe Bjormapojkarna.