Një tjetër pengesë e kaluar me sukses për ekipin e Vllaznisë së femrave. Ajo ka mundur me rezultatin e thellë 5-0 njërën prej rivaleve të saj në këtë kampionat, pikërisht ekipin e Kinostudios në ndeshjen e luajtur sot në mesditë në kompleksin e ekipeve kombëtare në Kamëz.

Gjithçka ka qenë e thjeshtë për vajzat kuqeblu. Ato kanë shënuar që në minutën e dytë me anë të futbollistes Luçie Gjini ndërsa në minutën e 15-të ka qenë mesfushorja Esmeralda Franja që ka dyfishuar shifrat.

Gjatë pjesës së parë do të kishte edhe dy gola të tjerë dhe të dy janë shënuar përsëri nga Gjini e cila ka kompletuar kësisoj një tregolësh në këtë takim.

Pjesa e parë do të mbyllej 4-0 ndërsa në minutën e 63-të do të ishte Megi Doçi që do të shënonte golin e pestë dhe të fundit të këtij takimi.

Vllaznia në këtë mënyrë afrohet edhe më shumë drejt titullit të gjashtë kampion rradhazi kur kanë mbetur edhe tre ndeshje deri në fund të kampionatit. Ajo do të luajë dy ndeshje rradhazi në Shkodër, fillimisht me Apoloninë e më pas me Bilisht Sport, për ta mbyllur në Tiranë me Tirana AS.

Deri tani gjërat po shkojnë në mënyrën e duhur. 19 ndeshje- 19 fitore dhe me golaverazhin fantastik prej 134 golash të shënuar dhe vetëm 2 të pësuar.
© shkodrasport.com