Vllaznia-Teuta është sfida e parë e Kategorisë Superiore për vitin 2021. Në Shkodër përballen vendi i parë me vendin e dytë të kampionatit.
Vllaznia është grumbulluar që dje për të kaluar natën në një prej resorteve të qytetit të Shkodrës para takimit me Teutën, që do të zhvillohet sot në orën 18:00 në stadiumin “Loro Boriçi”.
Kuqeblutë zhvilluan seancën e fundit stërvitore duke u përqendruar më tepër tek ana taktike, me trajnerin Brdariç që provoi formacionin.
U punua edhe me goditjet standarde, ndërsa nga sa u pa, titullarë ishin të njëjtë lojtarë që kanë qenë edhe në takimin e fundit ndaj Tiranës.
E vetmja mungesë është ajo e brazilianit Viktor da Silva, i cili vazhdon fazën e riaftësimit pas dëmtimit në kofshën e këmbës së djathtë. Gjasat janë që fantazisti të rikthehet të luajë në ndeshjen e javës tjetër.