Ndeshja më e rëndësishme e kësaj jave në kampionatin kombëtar të volejbollit për meshkuj, është ajo që do luhet në Shkodër në mes ekipeve të Vllaznisë dhe Teutës. Ashtu si dhe ndeshjet e basketbollit, edhe këto të volejbollit me vendim të Federatës përkatëse, janë shtyrë për të dielën për t’u luajtur për shkak të ditës së zisë që do jetë nesër. Sfida mes Vllaznisë dhe Teutës konsiderohet shumë e rëndësishme sepse janë dy ekipe rivale me njëra-tjetrën.
Për më tepër, Vllaznia para tre javësh e mundi Teutën brenda në Durrës me rezultatin 3-2 pas një ndeshje shumë të bukur. Me siguri që durrsakët do kërkojnë të marrin revanshin ndërkohë që shkodranët do mundohen të bëjnë më të mirën e tyre për të treguar se dinë t’i fitojnë sfidat direkte. Kjo ndeshje do luhet të dielën në orën 18.00 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Sakaq, ekipi i femrave do të udhëtojë drejt Rrëshenit për t’u ndeshur me Minatorin vendas, ndeshje që do luhet po të dielën në orën 12.00 por vajzat e reja shkodrane pak shanse do kenë për të marrë pikë në këtë përballje.