Sfida e volejbollit të meshkujve mes Vllaznisë e Teutës është shtyrë për një afat të pacaktuar por që do të jetë në një nga këto ditë. Kësaj here shkak është bërë terreni i papërshtatshëm i parketit në pallatin e sportit në Shkodër. Në fakt është një histori e vjetër e cila përsëritet prej disa vitesh tashmë herë pas here gjithnjë në periudha të ndryshme të stinës së dimrit. Parketi është i shtruar mbi beton dhe në ditët me shi e lagështirë në parketin e “Qazim Dervishi” krijohet një lloj kondicionimi që e bën të rrëshqitshëm terrenin e për rrjedhojë të pamundur zhvillimin e ndeshjeve të lojërave me dorë. Në këtë mënyrë palët, Vllaznia e Teuta bashkë me përfaqësuesit e Federatës të Volejbollit kanë rënë dakord që ndeshja të shtyhet në një tjetër datë kur parketi të jetë i gatshëm dhe në gjëndje normale për të luajtur një ndeshje. Në fakt kjo nuk është aspak pozitive. Përballë njëra-tjetrës duhej të ishin Vllaznia e Teuta dy prej ekipeve më të mira të volejbollit në vend. Të dy kampet ishin karikuar mirë dhe ishin përgatitur gjatë gjithë javës për të na dhuruar një sfidë plot emocione aq më tepër duke qenë se në radhët e Teutës janë dy ish-kuqeblutë Kola e Jukni. Shtyrja e kësaj sfide e zbeh disi bukurinë dhe ndoshta nuk do të ketë të njëjtin interes, edhe pse urojmë që të mos jetë kështu. Trajneri i Vllaznisë Artan Kalaja ka reaguar rreth këtij problemi disa vjeçar. “Tashmë po mësohemi sepse nuk është e para herë që ndodh kështu. Edhe vitet e mëparshme është konstatuar i njëjti problem dhe drejtuesit e Sport Klub Vllaznia e dinë fare mirë këtë situatë. Ndaj shpresoj që sa më shpejt të jetë e mundur dikush të mendojë për pallatin e sportit dhe të vihet dorë sepse këtu nuk bëhet fjalë vetëm për skuadrën time por për disa ekipe që përfaqësojnë Shkodrën. Ndeshja nuk është e humbur sepse ramë dakord që të shtyhej. Megjithatë më vjen keq sepse tifozët, skuadrat, në drejtuesit ishim përgatitur maksimalisht. Nuk jam në dijeni nëse ka ndonjë projekt për rikonstruksionin e pallatit të sportit për vitin e ardhshëm që do na trokasë shumë shpejt por bëj thirrje që kjo gjëndje të ndryshojë”. Për këtë pallat sporti në Shkodër specialistët kanë reaguar shpesh herë duke thënë se aty duhet ndërhyrje urgjente, fillimisht për izolimin e më pas përmirësimin e kushteve si dhe ndërhyrjet në parket duke qenë se mundësia për ndërtimin e një pallati të ri është shumë dritëlargët. Para pak kohësh ish-basketbollistja e e njohur e Vllaznisë Xhuli Shestani (aktualisht trajnere e të rejave të Vllazisë në basketboll femra) pati thënë se ai pallat është projektuar për palestër stërvitore por në fund iu dha forma e një pallati sporti edhe pse nuk plotëson standartet dhe kërsat për të qenë i tillë. Shkodra, aty ku lindën e panë për të parën herë dritë një numër i madh sportesh vuan tmërrësisht për terrenet sportive, duke filluar që nga palestrat në shkolla, mjediset sportive publike, sallat e stërvitjes të Vllaznisë që për shumë ekipe nuk ekzsitojnë fare e për disa të tjera janë në kushte mjerane për të mbërritur deri tek i ashtëquajturi “pallat sporti” që për ironi mban emrin e “Qazim Dërvishit”, iniciatorit të një sërë sportesh në Shkodër e Shqipëri. Asnjë investim nuk është parë askund me përjashtim të fushës sportive “Reshit Rusi” që edhe ajo u bë me financimin e përbashkët të FSHF. Pallati i sportit nuk është i vetmi sepse pak metra më tutje qëndron stadiumi “Loro Boriçi” edhe ai me shumë probleme. Flitet për sh.a, miliona lekë që miratohen në çdo mbledhje të Këshillit Bashkiak, flitet për shumë premtime gjatë fushatave elektorale që deri tani kanë rezultuar false. Edhe pse ndodh kështu, Shkodra ende di të mbajë kokën lart. Edhe pse me sakrifica, është toka ndoshta më prodhimtare në vend e cila në çdo kohë na dhuron sportistë të mrekullueshëm që asnjëherë nuk marrin atë që meritojnë, por gjithnjë të nëpërkëmbur deri aty sa duhet të shtyhen ndeshjet për shkak të kondicionimit. Absurde ! Qesharake ! Shumë turp !