Java e 15-të e kampionatit kombëtar të basketbollit për meshkuj do të dhurojë një sfidë shumë interesante për sportdashësit shkodranë. Në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” do të ndeshen me njëra- tjetrën Vllaznia dhe Teuta. Ekipe këto që janë në garë për vendin e dytë në renditje. Ky vend aktualisht mbahet nga durrsakët me një pikë më shumë megjithatë fitorja e këtyre të fundit do t’i ngjiste ata në këtë vend. Kuptohet që ky është një objektiv mëse i mundshëm për t’u arritur dhe jo vetëm sepse ndeshja do të luhet në Shkodër. Vllaznia tashmë ka krijuar një ekip solid si në përbërje ashtu edhe në pankinë dhe për këtë arsye, fitorja është detyrë. Objektivi i shpallur për momentin nga drejtuesit e shoqatës është kapja e vendit të dytë në renditje, çka do t’i favorizojë ato për fazën gjysmëfinale të plej-ofit. Trajneri Sarin natyrisht që ka bindjen e plotë se skuadra që ai tashmë drejton, do të ketë mundësi të synojë deri në fund titullin kampion, paçka se përballë do të jetë një kundërshtar shumë i fortë siç është Tirana. Megjithatë vëmendja për momentin është e përqendruar tek takimi që do të luhet me Teutën pasditen e së shtunës në orën 19.00 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Për këtë takim, pritet që të ketë edhe një numër të madh sportdashësish të pranishëm. Tifozët kuqeblu sigurisht që janë mësuar keq me këtë ekip në këto sezonet e fundit kur ai është shpallur tre herë rradhazi kampion i vendit dhe kuptohet që presin të katërtin dhe për këtë, ata do të ofrojnë mbështetjen e tyre maksimale.

www.shkodrasport.com