Një sprint final drejt titullit në plotë kuptimin e fjalës. Faza e katërt e Kategorisë Superiore ka ndryshuar rregullisht skuadrën në krye të klasifikimit dhe nuk përjashtohet mundësia që kjo të ndodhë dhe në javën e 31-të, ndeshjet e së cilës do të luhen të dielën dhe të hënën.

Pikërisht kështu, sepse Vllaznia do të presë në “Loro Boriçi” skuadrën e Teutës, e cila u rikthye në vendin e parë vetëm katër ditë pasi e kishte humbur atë. Tani shkodranët, me vetëm dy pikë larg, duan të kthejnë reston me një fitore, që do të sillte kryesimin, për më tepër që humbja do i jepte një goditje të rëndë shpresave për titull. Ndërkohë, duhet ruajtur kontakti dhe me Partizanin, që është një pikë mbi shkodranët e një pas durrsakëve dhe ka një ndeshje në shtëpi për të luajtur, atë me Apoloninë.

Do të mund të quhej e lehtë nëse nuk do të ishte shembulli i Kastriotit në mesjavë, ndaj dhe Daja e di mirë se kërkohet Partizani më i mirë për të fituar dhe për të parë se çfarë do të prodhojë përplasja në Shkodër.

Laçi duhet të nxitojë, për të reduktuar sa më shumë të mundet diferencën me kreun. Pas barazimit me të kuqtë do të presë Kukësin dhe objektivi është tri pikët. Vetëm se bardhezinjtë do të gjejnë përballë një kundërshtar, që në tri ndeshjet e fundit ka pësuar tetë gola dhe në këtë këndvështrim do të kërkojë kthesën.

Betejat e së hënës do të paraprihen në fakt nga sfidat e mbijetesës, me Kastrioti-Skënderbeu, që do të vendosë shumë për javët e mbetura. Fitorja e krutanëve do të ishte praktikisht një llojë konfirmimi për qëndrimin. Një fitore e korçarëve do e reduktonte në dy pikë largësinë me skuadrën e Ndreut dhe mund të parakalonte Bylisin, nëse kjo e fundit mundet në shtëpi nga Tirana.

Një ndeshje shumë e rëndësishme për të besuarit e Dovedan, që përballen me një skuadër në superformë, që ka likuiduar pothuajse të gjithë kryesuesit dhe është në garë me kohën për të arritur Europën në fillim e më pas titullin…