Vllaznia është me një këmbë në Kategorinë e Parë dhe shpresat për mbijetesë janë minimale, megjithatë trajneri i ri Ervis Kraja që ka marrë drejtimin e ekipit për dy ndeshjet e mbetura kërkon të mos dorëzohet dhe të shfrytëzojë çdo mundësi sado e vogël të jetë.
Në prezantimin që drejtuesit i kanë bërë para ekipit, ai ka kërkuar hapur edhe një nder nga tre futbollistët shkodranë që luajnë te skuadra e Laçit.
Kurbinasit do të përballen këtë javë ndaj Kamzës dhe një fitore e tyre mund të shtonte shpresat e Vllaznisë, për të siguruar mbijetesën në elitë në takimin e fundit.
Kalendari për kuqeblutë është treguar bujar, pasi luajnë këtë fundjavë në shtëpi ndaj Kukësit dhe në takimin e fundit në transfertë ndaj Skënderbeut, dy skuadra që praktikisht nuk luftojnë për asgjë, pasi kanë realizuar objektivat e tyre në dy vendet e para të klasifikimit.
Kështu që Kraja i ka kërkuar, ish-kapitenit të Vllaznisë, Ndriçim Shtubinës, mesfushorit Ansi Nika dhe mbrojtësit Abdurrahman Fangaj që në fushë ndaj Kamzës të jenë të motivuar jo vetëm për të fituar për objektivat e tyre, por edhe për të luajtur për Vllazninë.
Laçi në këtë ndeshje transfertë do të kërkojë të marrë pikë pasi ka një garë të hapur me Partizanin për vendin e tretë në tabelën e renditjes.
Gjithsesi edhe fitorja nuk do të jetë e lehtë, pasi kamzalinjtë kanë treguar nivel sidomos në ndeshjet shtëpiake.
Trajneri Kraja do të ketë shumë pak ditë në dispozicion për të rikthyer optimizmin te skuadra e tij.
Për momentin morali është në pikën më të ulët, ndërsa përveç kësaj tekniku duhet të përballet edhe me mungesat për ndeshjen e radhës.
Malota, Orelesi dhe Bardulla kanë probleme dëmtimesh dhe nuk dihet nëse do të luajnë në ndeshjen ndaj Kukësit.
Gjithsesi alternativat nuk do të mungojnë dhe Kraja do të zgjedhë të hedhë në fushë ata lojtarë që kanë formë më të mirë fizike. /EDS/