“Klasikja” e së dielës me Tiranën po afron dhe tek Vllaznia, vlerësimi është maksimal. Lajmi më i gëzueshëm, që në fakt nëpër disa takime të tjera ka munguar, është se skuadra nuk ka pothuajse asnjë mungesë për shkaqe kartonësh apo edhe nga dëmtimet e futbollistëve.

Me përjashtim të Liridon Latifit, që dihet tashmë prej kohësh, skuadra e Vllaznisë do të jetë e plotë para kësaj ndeshje tepër të rëndësishme për ecurinë dhe ambiciet në vijim.

Infermieria ka qenë pothuajse e zbrazur dhe të gjithë futbollistët, përfshi edhe tre lojtarër e rikthyer nga kombëtarja janë në dispozicion të stafit teknik, me në krye trajnerin Mirel Josa.

Ndërkohë, “Klasikja e Shqipërisë” Tirana-Vllaznia, e vlefshme për javën e 12-të të Abissnet Superiore, do të luhet në orën 13:00 të së dielës, në stadiumin “Selman Stërmasi” të kryeqytetit dhe do të transmetohet live në kanalet e platformës “OverSport”.
Maringlen ZHIVANI