Vllaznia u mund 1-0 nga Partizani në “Selman Stërmasi”. Ndeshja e kryeqytetit prodhoi pak raste për shënim, duke u vendosur nga një gol i mbrojtësit Bitri.
Shkodranët vinin në këtë ndeshje pas humbjes në shtëpi me Kukësin dhe trajneri Mirsad Jonuz kishte premtuar pikë. Rezultati zhgënjyes, ka sjellë edhe reagimin e tij në fundin e takimit.
Jonuz u dëgjua të ofendonte një nga anësorët e ndeshjes, duke u ankuar kështu për disa faulla dhe pozicione jashtë loje. Fjalor i papranueshëm nga maqedonaso-veriori.
Humbja në transfertë me Partizanin ka sjellë edhe një “rekord” negativ për Vllazninë. Kuqeblutë kishin ndeshjet në udhëtim si fatsjellëse, duke triumfuar më shumë se në “Loro Boriçi”.
Nga gjashtë fitore në këtë edicion, shkodranët katër i kanë siguruar në transfertë. Kundër Kukësit, Flamurtarit, Luftëtarit dhe Skënderbeut, Jonuz ka ditur të karrikojë të tijët duke dalë me pikë të plota. Humbja e dytë ndaj Partizanit këtë edicion, ka prishur në një formë “traditën” e vendosur këtë sezon./newsport/