Janë caktuar çiftet gjysmëfinaliste të Kupës së Shqipërisë në futboll për femra. Ato do të jenë Vllaznia- Tirana AS dhe Juban Danja- Kinostudio. Këto ekipe i kanë kaluar pa problem kundërshtarët e tyre në çerekfinale dhe vetëm në ndeshjen Tirana AS- The Door ka patur deri diku rivalitet. Skuadra kryeqytetase ka fituar me rezultatin 3-1 dhe është kualifikuar për në turin tjetër të këtij kompeticioni. Në të tjerat, gjërat janë përcaktuar shumë shpejt. Në ndeshjen Juban Danja- Apolonia, skuadra e drejtuar nga trajneri Shpëtim Rama ka fituar me rezultatin e thellë 14-0 duke treguar se si fituese në fuqi e këtij trofeu, don të thotë fjalën e vet edhe këtë sezon.
Në ndeshjet e sotme ndërkohë, Vllaznia ka fituar thellësisht 10-0 ndaj Dajtit ndërsa Kinostudio ka fituar me rezultatin 7-1 ndaj Shkëndisë së Durrësit. Dy ndeshjet gjysmëfinale do të zhvillohen të shtunën e ardhshme. Shumë interesante pritet të jetë përballja Juban Danja- Kinostudio. Kjo e fundit ka bërë disa përforcime me futbolliste kosovare ditët e fundit dhe kërkon fitoren e Kupës megjithatë do të hasë në rezistencën e skuadrës së presidentit Ferdinand Jaku i cili ka krijuar një ekip shumë simpatik, pa blerje të mëdha por me vajza që e duan këtë lojë. Në çiftin tjetër, sigurisht që Vllaznia është favoritja kryesore për të dalë në finale madje edhe për ta fituar atë megjithatë duhet pritur gjysmefinalet dhe finalja.
© shkodrasport.com