Vllaznia ka fituar pa ndonjë vështirësi të madhe ndaj Apolonisë dhe ka siguruar edhe ajo finalen e këtij sezoni. Ajo është luajtur pasditen e sotme në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” menjëherë pas gjysmëfinales tjetër, atë Tirana- Kamza Basket, që u fitua 87-76 nga Tirana e cila kësisoj do jetë kundërshtarja e Vllaznisë në finale. Kjo e fundit ka fituar pa ndonjë problem ndaj fierakëve. Ndeshja në fakt nuk ishte vlerësuar ashtu siç duhet dhe jo më kot janë vërejtur edhe shenja nënvlerësimi nga basketbollistët e saj. Perioda e parë ka patur rivalitet madje në disa raste kanë qenë fierakët që kanë kaluar në avantazh megjithatë në fund është Vllaznia që e fiton atë 26-22. Në të dytën epërsia erdhi duke u thelluar në 13 pikë por më pas, ky 10 minutësh u mbyll në shifrat 25-17 dhe me diferencë prej 12 pikësh në favor të vendasve, ekipet shkojnë në pushim. Trajneri Gjeçaj edhe më tej do të aktivizonte të gjithë sportistët duke u dhënë hapësirën e duhur dhe ndeshja deri në fund do shkonte në të njëjtat ujëra. Perioda e tretë mbyllet në barazim 24-24 ndërsa në të katërtën është Apolonia që fiton 21-15 por pa arritur dot të përmbysë shifrat përfundimtare që janë 90-81 për Vllazninë. Në këtë mënyrë, meshkujt tashmë e kanë plotësuar dyshen e finales që do jetë Vllaznia- Tirana e që do luhet të shtunën në orën 18.00.
Vllaznia- Apolonia 90-81
(26-22, 25-17, 24-24, 15-21)
Vllaznia: Rrahishta, Bekteshi, Hallunaj, Ndoja, Shestani, Berdica, Sarajlija, Taraboshi, Gjokoviç, Xhexhaj, Huti e Arra. Tr: Bledar Gjeçaj
Apolonia: Tegu, O. Profka, Ajdhoni, Ferra, F. Profka, Prifti, Germau, Selamaj. Tr: Odise Profka.
Gjyqtarë: E. Koçi, G. Hoxha, A. Bejko
Gjergj KOLA