Akademia Vllaznia do të luajë ditën e sotme me grupmoshat U-17 dhe U-19 ndeshjet e rradhës në kampionat ndaj Tiranës, të planifikuara për t’u zhvilluar në fushën sportive “Reshit Rusi”.
Realisht, këto ndeshje pa frikë mund të konsiderohen si klasiket e futbollit shqiptar, që edhe pse në këtë rast bëhet fjalë për moshat, marrin një rëndësi të veçantë në opinionin sportiv dhe kryesisht në të dy kampet rrespektive të tifozërive.
Fillimisht, ajo që do të zbresë e para në fushën e lojës, pikërisht në orën 10:00, do të jetë Vllaznia U-17, e cila drejtohet nga trajneri Gilman Lika. Për hir të së vërtetës, ky ekip në dy javët e para, është paraqitur nën mesataren e asaj që kërkohet, jo vetëm nga tifozëria, por edhe nga vetë drejtuesit kuqeblu, me skuadrën shkodrane që akoma nuk ka marrë fitoren e parë të këtij sezoni.
Prandaj, me të drejtë, të gjithë në Shkodër e konsiderojnë ballafaqimin e rradhës ndaj Tiranës të rëndësishëm për të marrë trepikëshin e parë sezonal. Megjithatë, përballë do të jetë një kundërshtar i fortë, siç është ekipi bardheblu, një rival direkt në pretendimet për trofe, pasi si Tirana, ashtu edhe Vllaznia, kanë të njëjtat objektiva për këtë sezon futbollistik.
Ndërkohë, menjëherë pas ndeshjes së U-17, në orën 12:00, në fushën sportive të “Reshit Rusit”, do të zbresë edhe ekipi i U-19 i Vllaznisë për t’u ndeshur po ndaj Tiranës. Ekipi shkodran i drejtuar nga trajneri Edmond Doçi, kërkon vetëm fitoren për të vazhduar sërish me tre pikët e rradhës, pas atyre që morën javën e kaluar ndaj Dinamos. Kuqeblutë pritet ta nisin sfidën në fjalë me formacionin më të mirë me synim vetëm fitoren.
Drejtuesit kuqeblu e konsiderojnë ballafaqimin e sotshëm ndaj Tiranës si shumë të rëndësishëm dhe prandaj, do të kërkojnë maksimumin për të marrë tre pikët. Poashtu, edhe Tirana U-19, nga ana e saj do të jetë jo pa synime në fushën e lojës, teksa bardheblutë edhe në këtë grupmoshë, janë një rival direkt në pretendimet për trofe, teksa, ashtu si Vllaznia, kanë të njëjtat objektiva për këtë sezon futbollistik.
Të dyja këto ndeshje që janë planifikuar të luhen në fushën sportive “Reshit Rusi, do të transmetohen live në kanalin e FSHF në YouTube.
Maringlen ZHIVANI