Problemet për basketbollin shkodran vazhdojnë edhe pas ardhjes së presidentit të ri sepse skuadra e meshkujve nën drejtimin e stafit të ri ka pësuar dy humbje njëra pas tjetrës. Kjo e fundit të dielën ndaj Kamzës, rivales direkte, ka “djegur” shumë sepse pozitat tashmë në renditje për Vllazninë janë rënduar edhe më tepër.

Megjithatë presidenti Xhaferi, drejtori teknik Halili dhe trajneri Plantak shpresojnë shumë se gjërat do të ndryshojnë. Ndonëse trajneri kroat ka deklaruar se ekipin e vërtetë do ta shohim në fushë pas ndeshjes me Partizanin javën tjetër, në fakt tek ekipi shkodran shpresojnë për një kthesë që këtë javë ndaj Tiranës.

Ndeshja të luhet ditën e shtunë në orën 18.00 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Bardheblutë nuk janë në nivelet e dy viteve të fundit, kanë edhe ato problemet e tyre por të mos harrojmë se në ndeshjen e fundit kanë mundur Partizaninkryesues.

Gjithsesi tek Vllaznia ka besim se mund t’ia dalin të fitojnë ndaj tyre. Kuptohet edhe me ndihmën e tifozëve të cilët ashtu si dhe ndaj Teutës dy javë më parë, pritet të jenë të shumtë në numër dhe ta mbështesin fuqimisht ekipin e tyre në këto momente të vështira.
© shkodrasport.com