Vllaznia është detyruar të rifutet në merkato. Madje, jo vetëm për të përforcuar ekipin në prag të ndeshjeve të turit të dytë të Ligës së Kampioneve të Europës por edhe për një arsye tjetër.
Siç kemi bërë të ditur gjatë ditës së sotme, mbrojtësja e qendrës Cassidy Blanchard ka këputur ligamentet e gjurit të majtë në stërvitje me ekipin dhe kjo padyshim që ka krijuar një problem të madh për stafin teknik sepse amerikania ka qenë një pikë e fortë e skuadrës në prapavijë.
Por presidenti Matija ka ndërhyrë menjëherë dhe nga sa bëhet e ditur, ka firmosur me një tjetër lojtare amerikane. Këtë herë bëhet fjalë për Jennifer Lynn Eberhardy.
24 vjeçarja luan edhe ajo në qendër të mbrojtjes dhe këto ditë pritet të mbërrijë në Shkodër për të nisur stërvitjen me ekipin për t’u bërë gati për sfidën e parë të turit të dytë të Ligës së Kampioneve.
Pikërisht për ndeshjen që Vllaznia do të luajë në “Loro Boriçi” më 11 shtator ora 18.00 ndaj ekipit danez Fortuna Hjorring.
Nuk përjashtohet mundësia që deri atë ditë të kemi edhe ndonjë përforcim tjetër tek ekipi shkodran që do të tentojë pse jo, të bëjë edhe ndonjë surprizë tjetër në merkato.
www.shkodrasport.com