
Trajneri Duro. Ai nuk ka mundur të durojë më. Kur ka parë dy sulmuesit të mos I shënojnë as inferiorëve të Ilirisë në ndeshjen e kupës, ka “shpërthyer”. Burime pranë tij bëjnë të ditur se trajneri Duro ka vendosur “të mos merret më” me Hysën dhe Rexhën. Do vazhdojë të ndërtojë strategji loje për të luajtur me mesfushorë të avancuar sepse nuk ka durim më. 70 milionë lekët që ai dhe klubi kanë shpenzuar për blerjen e dy sulmuesve, ende nuk po justifikohen. Madje, ndaj këtyre dy lojtarëve dhe paraqitjeve të tyre, ka shumë zhgënjim. Problemi nuk është se ata nuk kanë shënuar gol, por sepse nuk kanë gjuajtur akoma në portat kundërshtare dhe Duro tashmë do jetë I detyruar t’I lërë në stol ato. Se deri kur, këtë askush nuk mund ta thotë me siguri.
Hysa e Rexha. Ata kanë ardhur për të luajtur dhe për të shënuar sa më shumë gola për Vllazninë. Në rradhë të parë për veten sepse për secilin prej tyre, nëse gjërat do u shkonin mbarë tek skuadra shkodrane, ajo do ishte trampolinë për ndonjë skuadër tjetër më të fortë. Vilfor Hysa ndonëse ka spikatur me golat e tij në kampionatin shqiptar këto vitet e fundit, ende nuk ka shpërthyer në një skuadër me emër dhe prandaj e dëshironte Vllazninë për këtë. Po ashtu, kosovari Rexha duke luajtur dhe spikatur me gola në “Loro Boriçi”, mund të transferohej në ndonjë skuadër tjetër. Të dy deri tani kanë dështuar. Jo krejtësisht. Vlerat e secilit lojtar në fakt njihen por kurrsesi askush nuk e kishte menduar se do të shkonin deri në këtë pikë. Në 7 ndeshje (5 kampionat dhe 2 kupë), asnjëri prej tyre nuk ka shënuar dot qoftë edhe një gol të vetëm. Kjo e ka irrituar ambjentin rreth tyre dhe dy sulmuesit nuk janë të qetë. Megjithatë ata premtojnë se gjërat do ndryshojnë shumë shpejt. Ajo çfarë mbetet është të shohim se kur. Por ka një problem. Këta futbollistë nuk do jenë më të preferuarit e trajnerit Duro për të luajtur në formacion dhe duke mos luajtur në formacion, gjërat do bëhen edhe më të vështirë. Të luash në Shkodër ndaj Laçit dhe të mos aktivizosh asnjërin sulmues, duket paksa e palogjikshme megjithatë kështu ka vendosur stafi.
Gjergj KOLA