Skuadra shkodrane është në pritje të tre futbollistëve brazilianë që do vijnë për provë. Ardhja e tyre ishte planifikuar më datë 22 dhjetor por festa e Krishtlindjes, ka bërë që ata ta shtyjnë ardhjen e tyre. Nga kontaktet që kanë patur me drejtuesit e Vllaznisë, është rënë dakord që ata të mbërrijnë tashmë më 4 janar dhe një ditë më pas, do udhëtojnë me ekipin drejt Malit të Zi. Menaxherët që duan t’I sjellin kanë hyrë garant për nivelin e tyre dhe jo më kot ata kanë marrë përsipër t’u paguajnë nga 2500 dollarë bileta sepse janë të bindur që do ta kalojnë këtë provë. Nuk bëhen të ditur emrat e tyre megjithatë thuhet se njëri luan në mbojtje, tjetri organizator në mesfushë dhe tjetri në sulm. Mosha e tyre është e re, 20-22 vjeç dhe kuptohet që objektivi është promovimi në kampionatin shqiptar fillmisht në mënyrë që më pas, të gjejnë një kampionat më të fortë. Bisedimet me drejtuesit e Vllaznisë janë mbyllur tashmë në këtë drejtim dhe tre brazilianët do qëndrojnë për provë për disa ditë në Ulqin. Trajneri Vata dhe stafi I tij do kenë mundësinë t’I shohin qetësisht edhe ngaqë nuk është periudhë kampionati dhe do jenë më të qetë në punën e tyre. Të gjithë shpresojnë që këta lojtarë të mos jenë si ata të tjerët që u provuan në ditët e shkuara tek skuadra shkodrane. Nga 9 futbollistët që erdhën për t’u provuar vetëm ai nga Andora Sergi Moreno tregoi disa vlera të mira dhe prandaj do testohet sërish në janar. Të tjerët rezultuan poshtë nivelit të lojtarëve aktualë të Vllaznisë dhe prandaj drejtuesit e saj nuk harxhuan kohë për t’u marrë më me ta por I kthyen andej nga erdhën. Për tre brazilianët pretendohet që të mos kenë të njëjtin fat sepse nga sa thuhet niveli I tyre është shumë I pëlqyeshëm dhe ata do bëjnë diferencën në kampionatin shqiptar megjithatë kjo duhet parë. Përveç këtyre lojtarëve, në ditët e para të janarit, me skuadrën pritet të testohet edhe ndonjë futbollist tjetër I huaj dhe në fund të gjithë testimeve, të gjithë shpresojnë që të gjenden lojtarët e duhur sepse Vllaznia ka nevojë për përforcime serioze në të tre repartet . Por derisa të përcaktohen këto gjëra se kush do mbetet nga këta të ardhurit, drejtuesit kuqeblu nuk kanë ndër mend të shpallin një listë lojtarësh që do largohen. I vetmi që do bëjë përjashtim ndoshta është malazezi Petroviç për të cilin thuhet se nuk do jetë më pjesë e kësaj skuadre sepse edhe me menaxherin që e ka sjellë, në ditët në vazhdim, do gjendet gjuha e përbashkët për prishjen e kontratës.  Nëse ikën Petroviç, domosdoshmëria më e madhe do jetë gjetja e një zëvendësuesi cilësor në këtë repart. Kush mund të jetë ai? Ndoshta braziliani Da Silva që ka luajtur me Bylisin e për të cilin trajneri Vata ka një mendim shumë pozitiv si një prej mbrojtësve më të mirë të kampionatit. Do duhet edhe një sulmues por edhe një mesfushor I mirë. Pra, piketat janë të qarta dhe të përcaktuara se ku ka më tepër nevojë Vllaznia. E rëndësishme është të gjenden lojtarët e duhur dhe ky  është misioni aktual I drejtuesve kuqeblu.

www.shkodrasport.com