© shkodrasport.com
FAQJA E PARE FUTBOLL KATEGORIA SUPERIORE Vllaznia, tre lojtarë në dyshim ndaj Kukësit për arsye dëmtimesh
Vllaznia, tre lojtarë në dyshim ndaj Kukësit për arsye dëmtimesh
Ekipi i Vllaznisë po hyn gradualisht në përgatitjet e fundit për ndeshjen e parë të këtij viti, atë që do të luhet të premten në orën 18.00 në stadiumin “Loro Boriçi” ndaj Kukësit. Për të motivuar edhe më shumë futbollistët, pasditen e djeshme dy drejtuesit e lartë të klubit, administratori Gjyrezi dhe drejtori sportiv Zeka kanë patur një takim me ta, ku i kanë kërkuar të mbajnë lart moralin sepse kanë qenë po këta futbollistë që në gjysmën e parë të sezonit, kur kanë dhënë më të mirën e tyre në fushë, i kanë marrë pikë edhe Skënderbeut, edhe Partizanit, Kukësit e Tiranës. Pikërisht këtë gjë u kanë kërkuar të bëjnë sërish edhe në ndeshjen e së premtes ndaj kukësianëve. Por nga ana tjetër, drejtuesit e klubit kanë kërkuar nga stafi teknik dhe ai mjekësor, të dinë edhe në lidhje me gjendjen shëndetësore të disa futbollistëve të cilët ditët e fundit kanë shfaqur probleme. Kështu, mbrojtësi i majtë Antonio Marku ka disa ditë që po shfaq probleme muskulare dhe për këtë arsye nuk ka luajtur as në miqësoren ndaj Besëlidhjes. Madje ai është në dyshim nëse do të luajë edhe në takimin ndaj Kukësit. Po në miqësoren e zhvilluar në Lezhë, edhe dy futbollistë të tjerë janë dëmtuar. Bëhet fjalë për Arlind Kalajën dhe Florind Bardullën. Të dy ata po trajtohen nga stafi mjekësor me idenë për t’u bërë gati për takimin e rradhës por ende nuk është e sigurtë nëse do të ndodhë kështu apo jo. Kësisoj, trajneri Cungu duket se ka jo pak probleme në këtë pragndeshje. Kontigjenti i lojtarëve në dispozicion të tij nuk është dhe aq i madh e për këtë arsye, nëse do të ketë mungesa, hallet shtohen edhe më shumë. Kundërshtari kuptohet që vjen me synimin e vetëm për ta fituar këtë ndeshje dhe për të ruajtur vendin e parë në renditje por gjithsesi edhe Vllaznia nuk do të heqë dorë nga pretendimet e saj për të marrë pikë sepse ndryshe vazhdimi i kampionatit do të jetë shumë i vështirë për të.