Volejbollistet e reja të Vllaznisë kanë hedhur hapin e parë drejt finales së kampionatit.
Ato kanë fituar ndeshjen e parë gjysmëfinale, atë ndaj Teutës të luajtur pasditen e sotme në “Qazim Dervishi” me rezultatin 3-0.
Takimi ka patur në fakt rivalitet dhe sidomos seti i parë ka dhuruar shumë emocione. Në fund ka qenë ekipi shkodran që e ka fituar atë me shifrat 28-26.
Ndërsa dy setet e tjera janë fituar disi më lehtë nga vajzat e drejtuara nga trajnerja Ana Gjelaj, përkatësisht me shifrat 25-19 dhe 25-18.
Në këtë mënyrë ky ekip tashmë duket një hap larg finales. Ndeshja e dytë do të luhet ditën e dielë në Durrës dhe padyshim që objektivi do të jetë fitorja edhe atje në mënyrë që të mos i lihet vend ndonjë dyshimi për kalimin në finale.
Kanë spikatur në takimin e sotëm të gjitha vajzat por në veçanti Molla e cila nga pozicioni katër ka qenë e papërmbajtshme duke shënuar shumë pikë për ekipin e saj.
Me këtë fitore shkon në 14 numri i ndeshjeve të fituara në po aq të luajtura dhe ajo çka është më e rëndësishmja, setet janë 42-0.
Shifra vërtetë të frikshme për një ekip që padiskutim është pretendenti kryesor për fitimin e titullit kampion.
© shkodrasport.com