Vllaznia në basketboll për meshkuj është mundur thellë nga ekipi Kamza Basket në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të kampionatit. Ajo është zhvilluar pasditen e djeshme në sallën sportive të Kamzës dhe vendasit kanë fituar me rezultatin e thellë 88 me 47. Me fitoren e Kamzës, tashmë rezultati I takimeve ka shkuar në 1 me 1 dhe për të përcaktuar skuadrën e dytë finalist, do të luhet edhe një takim I tretë në Shkodër. Ky takim sipas kalendarit paraprak duhej të luhej të premten pasdite në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” por meqenëse ky impiant sportiv deri të shtunën është I zënë me Memorialin Ndërkombëtar të boksit, atëherë mbetet për t’u luajtur pasditen e së dielës.
Pavarësisht këtij fakti, humbja e djeshme me një diferencë kaq të madhe pikësh , 41, natyrisht që lë vend për një analizë të thellë në kampin shkodran. Trajneri Gjeçaj dhe basketbollistët e tij duhet të ndalen gjatë tek ky takim sepse nuk ka asnjë logjikë që një ekip I cili pretendon të shpallet kampion I Shqipërisë, të shënojë vetëm 47 pikë në një ndeshje gjysmëfinale. Kuptohet që në takimin e tretë në Shkodër, ekipi I Vllaznisë do të ketë sërish mbështetjen e publikut të zjarrtë vendas por kjo nuk mjafton sepse në fushë luajnë sportistët. Kamza Basket do të vijë të dielën shumë e qetë dhe me këtë qetësi do të kërkojë të shfrytëzojë nervozismin që mund të krijohet tek vendasit e për këtë arsye duhet bërë shumë kujdes në mënyrë që të jetë Vllaznia në finale përballë Tiranës dhe jo Kamza Basket.
Gjergj KOLA