Ditën e sotme janë zhvilluar takimet gjysmëfinale të kampionatit U-16 në boks.

Ndeshjet e kësaj dite janë zhvilluar të ndara në dy pjesë, paradreke dhe pasdreke.

Megjithatë, ajo që ka rëndësi ka qenë dominimi i boksierëve shkodranë. Në tetë ndeshje që ato kanë zhvilluar në ringun e “Qazim Dervishit” i kanë fituar të gjitha.

Me këtë ecuri dhe me 8 boksierë në finale, Vllaznia është thuajse kampione e Shqipërisë edhe për këtë vit.

Në ndeshjet e sotme, Kristjan Koço ka fituar ndaj Donald Gegës së Kamzës për peshën 48 kg.

Kjo ka qenë ndeshja finale e kësaj peshe dhe kësisoj Vllaznia ka kampionin e parë, Kristian Koçon.

Më pas, Ibrahim Mezini ka fituar ndaj Sulejman Buzalit të Kamzës në gjysmëfinalen e peshës 52 kg, ndërsa ndeshja gjysmëfinale e peshës 70 kg ka dhuruar fitoren e Flavio Vecajt të Vllaznisë ndaj Santiago Selimajt të Flamurtarit.

Në ndeshjen e peshës 66 kg, Besjor Gjetja ka fituar ndaj Denis Shazivarit të Teutës.

Sakaq, ndeshjet e pasdites kanë dhuruar edhe më shumë emocione dhe njëkohësisht edhe fitore të boksierëve shkodranë.

Kështu, Leonard Ara ka fituar ndaj Igli Dervishajt të Flamurtarit për peshën 54 kg ndërsa në peshën 63 kg, Angjelin Dardha ka fituar ndaj Geri Bejkos së Tomorit dhe po në këtë peshë, Luan Demaj ka fituar ndaj Soni Rukajt të Tomorit.

Suksesi i fundit i kësaj dite ka qenë ai kur Klodian Doda ka fituar ndaj David Kaloshit të Tiranës.

Tetë ndeshje, tetë fitore, nuk ka ku shkon më bukur për Vllaznia U-16 që kësisoj ka “prenotuar” titullin e tretë kampion rradhazi.

Trajneri Emiliano Çekini shprehet mjaft i kënaqur me ecurinë e sportistëve që ai drejton dhe është i bindur tashmë tek suksesi.

“Do të jemi me tetë boksierë në finale dhe padyshim që titulli kampion është shumë pranë.

Sportistët e Vllaznisë kanë bërë një paraqitje shumë të mirë dhe jo vetëm që kanë dominuar ndaj kundërshtarëve por kanë treguar edhe vlera.

Disa prej tyre, janë elementë me shumë të ardhme si Besjor Gjetja, Leonard Ara, Angjelin Dardha, Klodian Doda e ndonjë tjetër”.
© shkodrasport.com