Ka ndodhur e kundërta e asaj që pritej. Vllaznia U-17 është kualifikuar për në finale të kampionatit, ndërsa Vllaznia U-19 që mendohej më e sigurtë, është eliminuar. Këto verdikte janë dhënë sot nga rezultatet e ndeshjeve gjysmëfinale të luajtur në Tiranë. Vllaznia U-17 është ndeshur me skuadrën e vendit të parë- Teutën dhe fakti që shkodranëve nuk u bënte punë as barazimi, e bënte shumë të vështirë kualifikimin. Megjithatë loja ka treguar tjetër gjë. Në pjesën e parë ka zhbllokuar rezultatin Erkoçeviç dhe kjo pjesë do mbyllej 1-0 për Vllazninë. Në të dytën, do të shënonte golin e dytë Hebaj dhe më pas Erkoçeviç do të largohej nga fusha me karton të kuq duke e lënë skuadrën shkodrane me 10 futbollistë në fushë. Pavarësisht kësaj, Parubi do të shënonte edhe golin e tretë, gol ky që do të vuloste rezultatin përfundimtar të ndeshjes 3-0 në favor të Vllaznisë që siguron kështu daljen në finale. Kundërshtari i saj do jetë Flamurtari i cili mundi Shkëndinë e Tiranës dhe finalja në mes këtyre dy ekipeve do të luhet ditën e hënë në orën 17.00 në stadiumin “Qemal Stafa” në Tiranë. Në ndeshjen tjetër, atë të 19 vjeçarëve në mes Partizanit dhe Vllaznisë, pritej një dominim i kuqebluve në rradhët e së cilës këtë herë luanin pesë futbollistët që po aktivizohen me ekipin e parë dhe pikërisht Krymi, Çinari, Dyca, Sherri dhe Hakaj. Megjithatë loja nuk ka treguar këtë gjë. Partizani shënon që në minutën e 5-të ndërsa në minutën e 12-të, shkodranët fitojnë një 11-metërsh. Nga pika e bardhë Beci ka gabuar. Në fillimin e pjesës së dytë, Partizani do shënonte edhe golin e dytë dhe disa minuta më vonë, Kapaklija do të shënonte golin e vetëm për Vllazninë. U krijua ideja se do ishte një gol shprese por nuk do të ndodhte kështu pasi të kuqtë në minutat e fundit do të shënonin edhe golin e tretë, duke fituar 3-1 dhe duke siguruar kësisoj daljen në finalen e së martës ndaj Shkëndisë së Tiranës.
© shkodrasport.com