Java e pestë e kampionatit kombëtar të moshave ka dhuruar një sfidë shumë interesante në kampionatin e 17 vjeçarëve. Vllaznia dhe Tirana, dy ekipet që vinin në këtë javë si kryesuese të renditjes me nga 10 pikë secila, do të ndesheshin me njëra- tjetrën në fushën e “Reshit Rusit”. Në fund të 80 minutave të kësaj sfide, kanë qenë shkodranët ata të cilët kanë fituar 3-1 duke u ngjitur kësisoj tashmë në kuotën e 13 pikëve dhe duke mbajtur vendin e parë të renditjes të vetëm.
Ndeshja në fakt ka nisur me gol për miqtë. Shanaj do të kalonte në avantazh bardheblutë në minutën e 13-të por vetëm pak minuta më vonë, do të barazonte shifrat Barbullushi për kuqeblutë. Pjesa e parë do të mbyllej në shifrat 1-1. Në të dytën, Vllaznia U-17 e rrit ndjeshëm lojën e saj dhe Amuli do të kalonte në avantazh ekipin e tij duke e dërguar në rrjetë një top të mbetur në zonën e Tiranës. Ndërkohë, në minutat e fundit të ndeshjes, do të shënohej edhe goli i fundit i ndeshjes dhe sigurisht më i bukuri. Denaldo Marku, i futur në lojë në pjesën e dytë, ka gjuajtur fort nga rreth 30 metra dhe topi ka përfunduar në trekëndësh. Përfundimisht 3-1 për ekipin e drejtuar nga trajneri Nefail Zhejani dhe ndihmësi i tij Denis Zmijani dhe Vllaznia U-17 tashmë udhëheq e vetme renditjen e këtij kampionati pas pesë javësh kampionat, me 4 fitore dhe 1 barazim të arritur ndërkohë që golaverazhi i tij është 13-2.
© shkodrasport.com