Vllaznia U-17 pas shumë e shumë javësh kryesim të kampionatit, sot është detyruar t’ia lëshojë vendin e parë Tiranës.

Ka ndodhur kështu pas barazimit të saj në ndeshjen e luajtur në Tiranë ndaj Shkëndisë, në fund të së cilës është fiksuar rezultati i barabartë 1-1.

Bardheblutë ndërkohë kanë fituar 2-0 në Shkodër ndaj AAS dhe tashmë ata me 39 pikë janë në vend të parë duke lënë kuqeblutë në të dytin me një pikë më pak.

Duhet thënë se pjesa e parë ka qenë e dominuar nga futbollistët kuqeblu të cilët kanë shënuar edhe të parët me anë të mesfushorit Olsi Mali që në minutën e 10-të.

Por kur pritej që ky gol t’i jepte qetësinë e duhur shkodranëve për administrimin e ndeshjes, në minutën e 26-të ka ardhur goli i barazimit për vendasit.

Autor i tij do të ishte Arsildo Gjeta. Pas këtij goli, pavarësisht përpjekjeve të dy ekipeve nuk do të kishte gola të tjerë dhe për pasojë, pjesa e parë do të mbyllej në barazim 1-1.

Në pjesën e dytë pavarësisht përpjekjeve për të shënuar golin e fitores, futbollistët e Vllaznisë nuk ia kanë dalë dhe për rrjedhojë i gjithë takimi është mbyllur në barazim.

Një rezultat që i kushton kuqebluve lëshimin e vendit të parë në renditje.
www.shkodrasport.com