Vjen humbja e dytë për Vllaznia U-17 në kampionat. Këtë herë nga rivalja kryesore e saj- Tirana dhe ajo çfarë është më e keqja, me një rezultat shumë të thellë, 2-8.

Diçka e pabesueshme kur ke parasysh se kuqeblutë nuk kishin pësuar kaq gola në 13 javë kampionat dhe i pësojnë ndërkohë në vetëm 80 minuta lojë.

Bardheblutë kanë shënuar që në minutën e 3-të me anë të Stafës por 3 minuta më vonë ka barazuar Xhahysa për Vllazninë.

U duk se loja do të barazpeshohej por në minutën e 10-të Stafa do të shënonte edhe golin e dytë për Tiranën.

Kjo skuadër dhjetë minuta më vonë do të fitonte edhe të drejtën e një 11-metërshi që do të kthehej në gol nga Çeku.

Vllaznia U-17 nuk ka hequr dorë nga pretendimet e saj dhe në ’37 Xhahysa ka shënuar golin e dytë për të.

Në këtë mënyrë pjesa e parë është mbyllur me shifrat 3-2 për Tiranën por me shpresën se shkodranët do të vazhdonin të kërkonin të paktën barazimin.

Por në fakt nuk do të ndodhte kështu. Tirana ka shënuar edhe pesë gola të tjerë në pjesën e dytë me anë të Muçit (2 herë), Stafës sërish, Çejkut dhe Novakut duke bërë kështu që e gjitha ndeshja të mbyllej me shifrat e thella 8-2 për bardheblutë.

Ata ngjiten në kuotën e 30 pikëve ndërkohë që Vllaznia vazhdon të jetë në vendin e parë me 34 pikë por bardheblutë kanë një ndeshje më pak të luajtur.
www.shkodrasport.com