2-1 në kupë, 2-1 në kampionat, Vllaznia nuk ndalet ndaj Partizanit duke e mundur këtë skuadër dy herë brenda pak ditësh.

Fitorja e kampionatit ka ardhur pasditen e sotme në ndeshjen e luajtur në “Reshit Rusi”.

Ajo është dominuar nga kuqeblutë që kësisoj kanë marrë suksesin e rradhës. Në pjesën e parë ka qenë Qardaku ai që ka shënuar golin e parë duke kaluar në avantazh Vllazninë.

Në pjesën e dytë ndërkohë ka ardhur goli i dytë me autor sulmuesin Ildi Gruda.

Në 10 minutat e fundit, Partizani ka arritur të shënojë një gol por që nuk ka mjaftuar për asgjë sepse kuqeblutë e trajnerit Zmijani kanë arritur të fitojnë me rezultatin 2-1.

Vllaznia me këtë fitore është ngjitur në kuotën e 28 pikëve duke qenë tashmë vetëm një pikë larg Partizanit.

Padyshim që ecuria e këtij ekipi në javët e fundit ka treguar se tashmë kjo skuadër është vërtetë pretendente jo vetëm për fitimin e Kupës së Shqipërisë por edhe për titullin kampion.
© shkodrasport.com