Java e 22-të e kampionatit të grupmoshës U-19 ka dhuruar një tjetër fitore për ekipin kampion në fuqi të vendit.
Vllaznia ka fituar mesditën e sotme me rezultatin 2-1 në Lezhë ndaj Portos. Rezultati është zhbllokuar që në minutën e 28-të nga mesfushori Fikaj ndërkohë që tetë minuta më vonë ka qenë sulmuesi Palushani që ka dyfishuar shifrat.
Pjesa e parë do të mbyllej me këto dy gola. Në të dytën Porto do të ngushtonte shifrat falë një autogoli të Lekajt por vetëm kaq.
Rezultati përfundimtar ka folur në favor të Vllaznia U-19 e cila me këtë fitore është ngjitur në kuotën e 53 pikëve.
Ajo e ka thelluar edhe më shumë distancën me ndjekëset e saj sepse Tirana ka barazuar 3-3 ndaj Shkëndisë ndërsa Partizani ka humbur me rezultatin 2-4 ndaj Akademisë së Futbollit.
Renditja pas kësaj jave është kjo: Vllaznia e para me 53 pikë, Shkëndia e dyta me 47 pikë dhe Partizani i treti me 45 pikë.
© shkodrasport.com