Vllaznia U-19 kalon në finalen e Kupës së Shqipërisë për këtë grupmoshë. Finale që do ta diskutojë javën e ardhshme përballë Shkëndisë së Tiranës, e cila në gjysmëfinalen tjetër ka fituar 1-0 ndaj Teutës.
Kuqeblutë kanë fituar me rezultatin 3-2 ndaj Dinamos në gjysmëfinalen e dytë, atë të luajtur pasditen e së shtunës në kompleksin e ekipeve kombëtare në Kamëz.
Skuadra shkodrane e drejtuar nga trajneri Luan Zmijani e ka mbyllur 45 minutëshin e parë me rezultatin 1-0 në favorin e saj. Ka shënuar mesfushori Eridon Qardaku pikërisht në minutën e fundit të kësaj pjese.
Në fillimin e së dytës, pikërisht në ’53 ka qenë sulmuesi Muhamedin Lisaj që ka shënuar golin e dytë për shkodranët dhe këtu u duk se ndeshja mbaroi por nuk do mendonin kështu dinamovitët.
Ata kanë ngushtuar shifrat në ’64-të me anë të Berberit por shpresat e tyre për të barazuar kanë zgjatur vetëm 5 minuta. Kjo ngaqë sulmuesi tjetër i Vllaznisë Ildi Gruda, do të shënonte edhe golin e tretë për skuadrën e tij.
Dinamo rihyn në lojë sepse Perzhilla do të shënonte golin e dytë për të në minutën e 85-të. Por vetëm kaq sepse ajo nuk bën asgjë më shumë dhe janë 19 vjeçarët shkodranë që fitojnë kësisoj 3-2 duke kaluar në finalen e Kupës së Shqipërisë për këtë sezon, aty ku do të ndeshen me Shkëndinë e Tiranës.
© shkodrasport.com