Përgatitjet për nisjen e kampionatit dhe pjesmarrjen në “Uefa Youth League” po shkojnë në mënyrën e duhur për ekipin U-19 të Akademisë Vllaznia.

Pasditen e sotme ai ka zhvilluar një ndeshje miqësore ndaj ekipit të të rriturve të Veleçikut të cilën e ka fituar me rezultatin 4-2.

Këto dy ekipe janë ndeshur edhe pak ditë më parë dhe atë rradhë përballja u mbyll në barazim 2-2. Por sot ka qenë histori tjetër.

Djemtë e drejtuar nga trajneri Luan Zmijani kanë luajtur më mirë duke dominuar lojën dhe duke e fituar këtë miqësore. Golin e parë e ka shënuar sulmuesi Muhamedin Lisaj ndërsa të dytin Sidrit Barbullushi.

Po ky futbollist do të shënonte edhe një gol tjetër në këtë miqësore, atë të katërtin ndërsa i treti ka për autor mesfushorin Uheid Hoxha.

Kuqeblutë kanë treguar një formë shumë të mirë në këtë takim ndërkohë që miqësoret do të vazhdojnë edhe më tej sepse stafi teknik ka programuar një të tillë edhe në fundjavë.
© shkodrasport.com