“Derbi” shkodran i 19 vjeçarëve, ai në mes Vllaznisë dhe AAS, është fituar nga kuqeblutë me rezultatin 2-0.
Protagonisti kryesor i këtij suksesi ka qenë sulmuesi i tyre Kamelio Palushani që ka shënuar të dy golat e takimit.
Duhet thënë se ka qenë një ndeshje vërtetë “derbi”. E luftuar në maksimum, me dëshirë të lartë për fitore prej secilit ekip dhe padyshim edhe me raste shënimi në të dy portat.
Pjesa e parë, pavarësisht përpjekjeve, nuk ka dhuruar gol. Në të dytën, ka qenë Palushani ai që ka zhbllokuar shifrat në ’60 dhe pas këtij goli ka qenë ekipi i AAS që ka shtuar presionin duke kërkuar me ngulm golin e barazimit.
Por nuk ia ka dalë dhe në minutën e fundit, ka qenë Palushani që ka shënuar sërish duke mbyllur ndeshjen.
Përfundimisht 2-0 për Vllaznia U-19 që vazhdon të mbajë vendin e tretë në renditje pas javës së 15-të të kampionatit.
© shkodrasport.com