Pas shortit të hedhur dy ditë më parë, Vllaznia U-19 ka mësuar emrin e kundërshtarit me të cilin do të ndeshet në turin gjysmëfinal të Kupës së Shqipërisë.Ai është pikërisht ekipi i Dinamos.

Në kampin shkodran nuk kanë shumë dijeni në lidhje me përbërjen dhe forcën e këtij ekipi ngaqë ai në kampionat është pjesë e grupit tjetër dhe prandaj nuk janë ndeshur asnjëherë me të.

Megjithatë kjo nuk e ndryshon objektivin e kuqebluve të drejtuar nga trajneri Luan Zmijani. Përderisa kanë fituar ndaj Partizanit javën e kaluar, një prej ekipeve me përbërjen më të mirë të kësaj moshe aktualisht në Shqipëri, natyrisht që nuk ka pse të mos fitohet edhe ndaj Dinamos.

Megjithatë, shkodranët shpeshherë e kanë pësuar nga vetëkënaqësia dhe euforia e tepruar dhe stafi teknik po punon shumë në këtë drejtim.

Objektivi është i qartë: Fitorja në këtë ndeshje dhe shkuarja në finale të Kupës së Shqipërisë për këtë sezon. Ndeshja gjysmëfinale në mes Vllaznia U-19 dhe Dinamo U19 do të luhet të shtunën në orën 12.00 në kompleksin e ekipeve kombëtare në Kamëz.
© shkodrasport.com