Pasi ka kaluar me sukses edhe ndeshjen gjysmëfinale ndaj Dinamos, ekipi i 19 vjeçarëve të Vllaznisë tashmë është në pritje të një lajmi të rëndësishëm. Bëhet fjalë për datën dhe vendin se ku do të luhet ndeshja finale e Kupës së Shqipërisë së këtij sezoni.

Përballë saj do të jetë Shkëndia e Tiranës. Burime pranë FSHF-së bëjnë të ditur se me shumë mundësi ajo nuk do të zhvillohet këtë fundjavë.

Arsyeja është se institucioni i futbollit shqiptar kërkon t’i japë rëndësinë e duhur kësaj finaleje dhe për këtë arsye, me shumë të ngjarë do ta zhvillojë atë në stadiumin “Elbasan Arena”.

Po ashtu, ideja që qarkullon është se kjo ndeshje mund të zhvillohet të mërkurën e ardhshme, ditë kur nuk ka ndeshje të tjera për t’u luajtur. Ekipi i Vllaznisë natyrisht që ka si objektiv fitimin e këtij trofeu dhe ka nisur përgatitjet për këtë ndeshje.
© shkodrasport.com