Vllaznia U-19 prej disa ditësh ka nisur përgatitjet për sezonin e ri futbollistik dhe njëkohësisht edhe për takimet Ligës së Kampioneve.

Kuptohet që gjatë këtyre ditëve stërvitja është e lehtë dhe pa ngarkesa por në vijim do të jetë më e plotë. Trajneri Luan Zmijani në një prononcim për mediat, shprehet se gjërat duken mirë megjithatë e rëndësishme është që të kapet sa më shpejt ritmi I duhur dhe skuadra të bëhet gati për ndeshjet europiane.

Ndërkohë, I pyetur në lidhje me objektivin që do të ketë skuadra e tij në këtë edicion të dytë pjesmarrje në këtë kompeticion të rëndësishëm, Zmijani thotë se gjithçka varet nga emri I kundërshtarit që do të dalë nga shorti.

Ndeshja e parë do të luhet në gjysëm të shtatorit ndërsa ajo e kthimit në fillim të tetorit dhe natyrisht që kampionia e Shqipërisë për këtë grupmoshë do të tentojë suksesin e parë në këtë kompeticion të rëndësishëm europian, kalimin e turit.
© shkodrasport.com