Paraditen e nesërme Vllaznia U-19 do të niset drejt Kazakistanit, atje ku dy ditë më pas do të luajë ndeshjen e parë të “Uefa Youth League” ndaj FC Astana.
Një ditë para nisjes, ekipi është kompletuar me bazën e duhur materiale të siguruar nga klubi dhe më pas, janë bërë edhe fotot zyrtare të lojtarëve që do të jenë pjesë e ekipit në këtë ndeshje të parë.
Menjëherë pas saj, drejtuesit e Akademisë dhe trajneri Zmijani kanë dalë në një konferencë për shtyp ku kanë folur në lidhje me këtë takim të parë dhe njëkohësisht edhe për objektivin që do të ketë Vllaznia U-19 në këtë kompeticion të rëndësishëm.
Kujtojmë se është hera e dytë që ekipi shkodran si kampion në fuqi i vendit merr pjesë në “Uefa Youth League”.
Nëse sezonin e kaluar nuk arriti dot të kalojë turin e parë ndaj moldavëve të FC Zimbru, do ta tentojnë këtë herë ndaj FC Astana të Kazakistanit.
© shkodrasport.com