Skuadra shkodrane e 19 vjeçarëve të Vllaznisë ka arritur të mbrojë titullin kampion të sezonit të kaluar dhe pasditen e sotme ka fituar trofeun e dytë rradhazi të kampionit të Shqipërisë.

Në ndeshjen finale të luajtur në “Elbasan Arena” ajo ka fituar me rezultatin 2-1 ndaj Flamurtarit të Vlorës.

Ndeshja është dominuar nga fillimi e deri në fund nga kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Luan zmijani.

Në minutën e 25-të Palushani pengohet në mënyrë të parregullt brenda zonës nga një mbrojtës vlonjat dhe arbitri Olsi Sokoli do të tregonte pikën e bardhë të 11-metërshit.

Atë e merr përsipër ta godasë Repaj që është i saktë dhe shënon. Pjesa e parë do të mbyllej me këtë gol.

Në të dytën, pikërisht në minutën e 67-të Palushani krosoi saktë nga e djathta dhe Gruda e dërgon topin në rrjetë.

Një gol që i dha qetësinë kuqebluve por ata nuk u ndalën këtu. Në minutën e 72-të Hoxha bën rrëmujë gjithë mbrojtjen vlonjate, godet me të djathtën dhe topi përfundon në shtyllë.

Megjithatë Flamurtari nuk hoqi dorë nga pretendimet e tij dhe Rrapaj në minutën e 82-të do të ngushtonte shifrat.

Por asgjë më shumë. Vllaznia U-19 ka arritur ta ruajë avantazhin deri në vërshëllimën e fundit të arbitrit dhe kësisoj ajo është sërish kampione e Shqipërisë edhe për sezonin 2017-2018.
www.shkodrasport.oom