Vllaznia U-14 ka rënë nga Kategoria Superiore në ndeshjen e ditës së sotme ndaj Shkodrës. Kuqeblutë u mposhtën në ndeshjen direkte nga ekipi tjetër shkodran me rezultatin e pastër 0-2 dhe tashmë, ata e kanë “prerë biletën” për të mos qenë në sezonin e ardhshëm pjesë e elitës së futbollit shqiptar për këtë grupmoshë.

Në këtë mënyrë, në vendin e saj është ngjitur Shkodra U-14, e cila realisht ka bërë një kampionat të mirë në Kategorinë e Parë të kësaj grupmoshe.

Sa i takon kronologjisë së ndeshjes, Shkodra shënoi dy gola të shpejtë në pjesën e parë, me anë të Bajraktarit dhe Vajushit, teksa deri në fund nuk do të kishte më ndryshim të rezultatit, pavarësisht përpjekjeve të Vllaznisë.

Në fakt, në pjesën e dytë, Thana shpërdoroi një penallti për ekipin kuqeblu, por vetëm kaq. Kështu, ndeshja nuk do të kishte më histori dhe në këtë mënyrë, Vllaznia U-14 bie nga Kategoria Superiore, teksa tashmë në vendin e saj sezonin e ardhshëm në elitën e futbollit shqiptar për këtë grupmoshë, do të jetë ekipi i KF Shkodra. /Maringlen ZHIVANI/

Play-Out U-14: Vllaznia-Shkodra 0-2

Golat: Bajraktari 14’, Vajushi 19’

Vllaznia U-14: Çolaj, Ramaj, P. Lulaj, Kraja, Thana, Hoxha, Jukaj, Dukaj, Dautovi, Ramçaj, Haxhija (u aktivizuan: Bega, Juka, Preka, Lisaj) Tr: Fatjon Hasani

Shkodra U-14: Demiraj, Muça, Halili, R. Sukaj, Vajushi, A. Sukaj, Gshteja, Bajraktari, Kukaj, Prendi, Marku (u aktivizuan: Pilaca, Osja) Tr: Rudi Piraniqi

Arbitër: Xhulian Bacaj