Suksesi I pak ditëve më parë I ekipit U15 të Akademisë Vllaznia kur u shpall kampion I Ligës Amatore për Zonën e Shkodrës, është shpërblyer nga drejtuesit e klubit me një pjesmarrje në një turne ndërkombëtar që do të zhvillohet këto ditë në Selanik të Greqisë. 4

Ekipi shkodran nën drejtimin e përgjegjësit të Akademisë Alban Neziri, ka udhëtuar pasditen e së premtes drejt shtetit fqinj dhe padyshim që do të synojë paraqitje sa më të mira në këtë turne. Në fakt është I njëjti turne në të cilin morën pjesë një muaj më parë edhe dy ekipe të tjera të Akademisë Vllaznia të cilët patën shumë sukses sepse ai U12 u shpall fitues ndërsa ekipi U14 zuri vendin e dytë.

Të njëjtën gjë patjetër që do të synojë edhe ekipi I 15 vjeçarëve nën drejtimin e trajnerëve Astrit Prençi e Ylad Pirani. Pjesë e tij janë disa djem të talentuar që premtojnë shumë për të ardhmen dhe padyshim që pjesmarrja në këtë turne do të jetë një mundësi e mirë për ta, për të treguar vlerat e tyre.

Në turneun e Selanikut marrin pjesë edhe shumë ekipe të njohura të Akademive të Greqisë por edhe të shteteve të tjera të Ballkanit e më gjerë. Vllaznia U15 ndeshjen e parë do ta ketë ndaj ekipit PAOK të Selanikut, përballja kjo më e vështirë në ndeshjet në grup.

Kuqeblutë do tentojnë fitoren për të vazhduar më tej në këtë kompeticion ku mbi të gjitha rëndësi ka matja e forcave me bashkëmoshatarët e tjerë të këtyre vendeve dhe për të mësuar se ku janë në krahasim me ta.
© shkodrasport.com