Nga Maringlen ZHIVANI
Vllaznia U-17 nuk ka shkuar dot më shumë se një barazim në shtëpi ndaj Teutës, në ndeshjen e rradhës në kampionat. Takimi në mes këtyre dy skuadrave u luajt në fushën sportive “Reshit Rusi” dhe u mbyll në shifrat e barabarta 1-1.
Rezultati u zhbllokua në fundin e pjesës së parë të ndeshjes, kur për miqtë do të ishte futbollisti Mulgeci që do të shënonte. Me këtë gol u mbyll edhe pjesa e parë e kësaj ndeshje, edhe pse nuk kanë munguar rastet në të dy portat rrespektive. Në fillimin e pjesës së dytë, do të ishte pikërisht sulmuesi Flavio Fusha, ai i cili në minutën e 58-të të ndeshjes do të shënonte golin e barazimit dhe pas tij, në fakt nuk do të kishte të tjerë, duke bërë që të dy ekipet të dalin me nga një pikë nga kjo përballje.
Ndërkohë, për t’u ndalur tek Flavio Fusha, i cili po shënon ndeshje pas ndeshje për ekipin e tij, ai shihet si një nga elementët e së ardhmes tek Akademia Vllaznia.
Deri më tani në këtë sezon, ai ka shënuar 10-gola në kampionat, tetë me Vllaznia U-17 dhe dy me Vllaznia U-18, duke qenë në këtë mënyrë golashënuesi më i mirë në rradhët e 17-vjeçarëve e poashtu një ndër më të mirët në kampionat.
Flavio Fusha luan si sulmues tipik 9-sh dhe konsiderohet një potencial i së ardhmes, ku edhe njëherë tjetër tregohet për punën e mirë që bëhet tek Akademia Vllaznia, që në vite ka furnizuar jo vetëm ekipin e parë kuqeblu, por pothuajse të gjithë Shqipërinë, me elementë që kanë spikatur në Superiore dhe jo vetëm.