Vllaznia U-17 është mposhtur nga Apolonia në ndeshjen e sotme, e cila është e parafundit për kampionatin e Kategorisë Superiore të kësaj grupmoshe për këtë sezon. Në ndeshjen e luajtur paraditën e sotme në mini-stadiumin “Reshit Rusi” në Shkodër ndaj ekipit fierak, futbollistët shkodranë të drejtuar nga trajneri Gilman Lika kanë humbur me rezultatin 2-4.

Megjithatë, kjo ndeshje vlen vetëm për statistikë, pasi Vllaznia U-17 është shpallur zyrtarisht kampione e Kategorisë Superiore të kësaj grupmoshe për këtë sezon. Sa i takon kronologjisë së ndeshjes, Vllaznia U-17 kaloi e para në avantazh me anë të futbollistit të përhershëm Gerald Kubazi, në minutën e 21-të të pjesës së parë dhe kjo pjesë do të mbyllej pikërisht vetëm me këtë gol.

Në fillimin e së dytës, edhe pas shumë ndryshimeve të bëra nga trajneri Lika, Apolonia barazoi rezultatin me anë të një penalltie, konkretisht në minutën e 52-të. Ndërkohë, vetëm pas një minute, ka qenë futbollisti Seralb Hotaj që do të dyfishonte shifrat për Vllazninë dhe këtu u duk se ndeshja do të mbyllej në favor të ekipit kuqeblu, por nuk do të ndodhte kështu.

Në minutën e 69-të, futbollisti i Vllaznisë, Ymeraj, do të shënonte një autogol në portën e tij dhe në këtë mënyrë, u barazuan edhe shifrat në 2-2. Me këtë gol, ndeshja do të hapej dhe Apolonia do të shënonte edhe dy gola të tjera.

Ekipi fierak realizoi edhe dy gola të tjera në të 78-tën dhe 89-tën, duke mbyllur ndeshjen me rezultatin 2-4 në favor të tyre. Pas këtyre golave, nuk do të kishte më ndryshim të rezultatit dhe përfundimisht, 2-4 për Apolonia U-17 që në këtë mënyrë mposht Vllazninë U-17 brenda në Shkodër, me ekipin kuqeblu që tashmë e ka siguruar zyrtarisht titullin kampion të Kategorisë Superiore të kësaj grupmoshe për këtë sezon, duke u renditur në kuotën e 35-pikëve në krye të tabelës së klasifikimit. /Maringlen ZHIVANI/

U-17: Vllaznia-Apolonia 2-4

Golat për Vllaznia U-17: Kubazi 21’, Hotaj 53’

Formacioni i Vllaznia U-17: Arm. Gërbeti, Meta, Hotaj, Pepnikaj (Spahija 46’), Kraja, Kubazi (Bushati 46’), Ars. Gërbeti (Ymeraj 46’), Hoxha, Ara (Marashi 46’), Çelepija (Teli 46’), Ivziku (në dispozicion: Lekaj, Smakaj, Lilo) Tr: Gilman Lika