Vllaznia U17 ka fituar me rezultatin 3-2 miqësoren ndaj Kombëtares U17, e cila është zhvilluar pasditen e sotme në stadiumin “Loro Boriçi”. Nënkmapionët e Shqipërisë kanë treguar një formë shumë të mirë sportive dhe për rrjedhojë kanë dominuar në ndeshjen e luajtur ndaj kuqezinjve të Elvin Beqirit.

Në pjesën e parë ka qenë sulmuesi Antonio Delaj që ka zhbllokuar rezultatin për ekipin tonë. Më pas ka barazuar kombëtarja U17 dhe pjesa e parë është mbyllur në barazim 1-1.

Në fillimin e së dytës ka qenë përsëri Delaj që ka shënuar për Vllazninë dhe sërish kombëtarja ka barazuar, kete here me ane te sulmuesit shkodran Aldo Nika. Por ky barazim ka zgjatur vetëm për pak minuta sepse ka qenë Sefa ai që ka shënuar golin e tretë dhe të fitores për ekipin tonë që kësisoj ka vulosur rezultatin përfundimtar 3-2 në favor të tij.

Trajnerët Bizi e Pirani kanë aktivizuar në këtë miqësore të 22 futbollistët që kanë patur në dispozicion. Ndërkohë që duhet përmendur fakti se me kombëtaren janë aktivizuar në pjesën e dytë edhe dy futbollistë të tjerë të Akademisë Vllaznia, pikërisht portieri Tomas Kiri dhe mesfushori William Cungu.