Sezoni është mbyllur por për ekipet e Akademisë Vllaznia puna vazhdon. Tashmë ekipet kanë filluar të bëjnë edhe seleksionimet e lojtarëve për sezonin e ri dhe në këtë periudhë nuk mungojnë as ndeshjet miqësore.
Një të tillë ka zhvilluar Vllaznia U17 e cila ka luajtur në Pezë- Helmes ndaj Internacional një miqësore që u ka shërbyer jo pak të dy ekipeve për të parë elementin që kanë në dispozicion.
Në fund të kësaj përballje, ekipi shkodran ka arritur të fitojë me rezultatin 2-1 falë golave të shënuar nga Popaj dhe Alivoda.
Padyshim që rezultati në ndeshje të tilla nuk është aspak i vlefshëm. Për trajnerin Brikeno Bizi me interes ka qenë të shohë disa nga lojtarët që i janë bashkuar së fundi ekipit.
Duhet thënë se nga Vllaznia U17 janë larguar shumë futbollistë, të cilët për efekt moshe tashmë kanë kaluar tek ekipi U19 dhe për këtë, stafi po punon për zëvendësimin e tyre me lojtarë të rinj dhe bashkë me këtë gjë, edhe përshtatjen me njëri- tjetrin dhe adaptimin me mënyrën e lojës që ai mendon të aplikojë në sezonin e ri.
© shkodrasport.com