Vllaznia U17 ka arritur një tjetër fitore, madje këtë herë me goleadë duke mundur me rezultatin e thellë 7-1 ekipin e Akademisë së Futbollit, në ndeshjen e luajtur paraditen e sotme në fushën sportive “Reshit Rusi”.
Takimi është bërë shumë i lehtë për kuqeblutë vetëm pas golit të barazimit që ata kanë shënuar golin e parë në minutën e 20-të me anë të sulmuesit Ardit Nikaj. Kjo sepse kanë qenë miqtë ata që shënuan të parët në minutën e 10-të me anë të Gjuzit, por vetëm kaq.
Pas barazimit, vjen furia e ekipit shkodran. Ka qenë rradha e mesfushorit Arjet Bizi të shënonte dy gola njëri pas tjetrit dhe kësisoj pjesa e parë është mbyllur me rezultatin 3-1 për Vllaznia U17.
Në pjesën e dytë ka qenë vetëm ajo në fushën e lojës teksa Sufaj ka shënuar golin e katërt, më pas Nikaj të pestin dhe në minutën e 57-të do të ishte edhe rradha e Pusit për të shënuar emrin e tij si golashënues.
Megjithatë për të mbyllur ndeshjen do të mendonte mesfushori Suka i cili në minutën e 63-të do të shënonte edhe golin e shtatë për ekipin shkodran që kësisoj fiton me rezultatin e thellë 7-1.
Një fitore që në fakt nuk vlen dhe aq shumë sepse edhe rivali kryesor i ekipit shkodran, ai i Shënkollit e ka fituar ndeshjen e rradhës dhe diferenca mes tyre mbetet sërish gjashtë pikë.
Megjithatë janë edhe katër javë deri në fund dhe djemtë e drejtuar nga trajneri Brikeno Bizi do të shpresojnë për vendin e dytë.
© shkodrasport.com