Pas fitores javën e kaluar ndaj Shënkollit të vendit të dytë, Vllaznia U17 i është rikthyer humbjes teksa paraditen e sotme është mundur 0-1 nga Akademia e Futbollit, në ndeshjen e luajtur në Kamëz.

Goli i Cahanit në minutën e 31-të ka vulosur rezultatin e kësaj ndeshje, ndonëse futbollistët e të dy ekipeve janë përpjekur shumë që të shënonin sërish. Vllaznia nga ana e saj duke mos qenë dakord me disavantazhin, është hedhur në sulm, ka krijuar edhe disa raste shënimi megjithatë nuk ia ka dalë dot që të shënonte golin e barazimit.

Për këtë arsye në fund të takimit është detyruar të pranojë humbje në shifrat 0-1. Pas ndeshjes së sotme, Vllaznia U17 mbetet në kuotën e 21 pikëve dhe tashmë është e pozicionuar në vendin e katërt të renditje, me pikë të barabarta me Partizanin e vendit të tretë.

Megjithatë deri në fund të kampionatit ka edhe shumë javë për t’u luajtur dhe shanset për të qenë në mes dy ekipeve të para që shkojnë në play-off janë të mëdha dhe me disa ndryshime që priten, gjërat mund të ndryshojnë.

Trajneri Brikeno Bizi është i bindur për këtë gjë sepse rikuperimi i disa lojtarëve të dëmtuar apo edhe federimi i ndonjë lojtari tjetër, mund të ndryshojnë tërësisht ekipin.
© shkodrasport.com