Sfida e sotme e luajtur në Tiranë në mes Partizanit dhe Vllaznisë, e vlefshme për kampionatin kombëtar të 17 vjeçarëve ka qenë shumë e rëndësishme sepse përballeshin me njëri- tjetrin ekipet e vendit të tretë dhe të katërt. Futbollistët shkodranë të drejtuar nga trajneri Brikeno Bizi ka treguar vlerat e veta në këtë përballje dhe ka fituar me rezultatin e pastër 3-0.

Në fakt gjithçka është zgjidhur në pjesën e dytë të ndeshjes sepse e para është mbyllur në barazim pa gola. Që në minutën e parë të kësaj pjese, ka qenë mesfushori Muliu ai që ka zhbllokuar rezultatin duke kaluar në avantazh kuqeblutë. Ndërkohë, pesë minuta më vonë, Vllaznia U17 do të shënonte edhe golin e dytë, këtë herë me anë të sulmuesit Nikaj.

Me këtë gol, ekipi shkodran vendosi supermacinë në fushën e lojës duke e mposhtuar kundërshtarin në të gjitha drejtimet, megjithatë për të mbyllur ndeshjen do të mendonte sulmuesi tjetër, Sufaj i cili në minutat e fundit do të shënonte edhe golin e tretë dhe të fundit të këtij takimi.

Duke mposhtuar Partizanin, Vllaznia U17 ka arritur ta kalojë këtë skuadër në renditje dhe tashmë janë shkodranët në vendin e tretë të renditjes. Megjithatë gjërat nuk kanë shkuar dhe aq mirë për ta këtë javë sepse rivali i tyre kryesor, ekipi i Shënkollit, ka fituar edhe ai këtë herë.

Në ndeshjen e luajtur në Pezë- Helmes, ekipi i drejtuar nga Dritan Smajli ka fituar 3-2 ndaj Internacional dhe në këtë mënyrë ka arritur ta ruajë diferencën prej gjashtë pikësh me Vllaznia U17. Një diferencë në pamje të parë e konsiderueshme por janë edhe pesë ndeshje për t’u zhvilluar deri në fund dhe shkodranët kanë ende shanse për vendin e dytë, vend ky që i çon në play- off.
© shkodrasport.com