Bora e rënë ditën e djeshme në Shkodër ka krijuar jo pak probleme për stërvitjen e ekipeve të futbollit. Shumë prej tyre janë detyruar ta bëjnë pushim ose të tjerë janë mbyllur në ndonjë kalçeto.
Por ka patur edhe prej atyre ekipeve që kanë sfiduar borën dhe kushtet e vështira dhe kanë preferuar të stërviten mbi të. Kështu ka ndodhur me ekipin Vllaznia U17 e cila pasditen e djeshme ka zhvilluar seancën e rradhës në fushën sportive “Reshit Rusi”.
Futbollistët e tij dhe trajnerët Bizi e Kadija për mbi një orë janë stërvitur në këtë fushë duke luajtur mbi borën që kishte mbuluar me mbi 10 cm tapetin e fushës. Madje, ato janë argëtuar aq shumë saqë edhe sot pritet të bëjnë të njëjtën gjë.
Kujtojmë se stërvitja ka nisur në orët e vona të pasdites dhe është zhvilluar nën dritën e projektorëve, ndonëse temperaturat kanë qenë edhe më të ulëta në ato momente. Por këto djem e kanë pasion futbollin dhe nuk kanë dashur t’ia dinë për asgjë.
© shkodrasport.com