Në barazim 1-1 është mbyllur ndeshja e sotme e javës së 22-të në mes 19 vjeçarëve të Vllaznisë dhe Ilirisë, e luajtur në stadiumin e qytetit të Krujës pasditen e sotme.

Në pamje të parë konsiderohej një ndeshje e lehtë por nuk ka ndodhur kështu. Shkodranët përveçse me kundërshtarin, janë ndeshur edhe me një arbitrim aspak korrekt të gjyqtarëve.

Në minutën e 24-të ata akordojnë një 11-metërsh të paqenë ndërkohë që edhe më pas, vendimet e treshes kanë qenë shumë të diskutueshme.

Vllaznia U19 pas shumë presionesh, ka arritur të barazojë në minutën e 64-të pas ekzekutimit perfekt të një goditje dënimi nga ana e Qardakut.

Por interesant fakti se gjatë festimeve, krejtësisht normale, arbitri i ka treguar kartonin e kuq lojtarit Radovani që ishte duke bërë nxemjen jashtë fushës.

Megjithatë nuk do të mbyllej me kaq. Në minutën e 85-të do të vinte edhe një karton tjetër të kuq, këtë herë për mbrojtësin Repaj, pas plotësimit të numrit dy të të verdhave.

Përfundimisht barazim 1-1 por kjo pikë ka vlejtur shumë sepse rivali kryesor i Vllaznisë, ekipi i Shkëndisë ka humbur 0-1 ndaj Partizanit. Në këtë mënyrë, diferenca në mes këtyre dy ekipeve tashmë ka shkuar në +3 pikë në favor të ekipit shkodran që kryeson i vetëm renditjen.
© shkodrasport.com