Pasditen e sotme është zhvilluar ndeshja e javës së pestë të kampionatit të moshave në mes Vllaznia U19 dhe Akademia e Futbollit Tiranë. Afrimi dy ditë i kësaj ndeshje është bërë me kërkesë të ekipit shkodran i cili në fillim të javës tjetër do të niset drejt Kazakistanit për të luajtur ndeshjen e vlefshme ndaj FC Astana e vlefshme për “Uefa Youth League”.
Kuqeblutë e trajnerit Luan Zmijani kanë fituar me rezultatin e thellë 4-0. Interesant është fakti se të katër golat e kësaj ndeshje janë shënuar sërish në minutat e fundit të saj.
Deri afër minutës së 70-të shkodranët po hasnin në një rezistencë të kundërshtarit dhe do ishte pikërisht kjo minutë që do të rregjistronte golin e parë. Do ishte sulmuesi Akil Ndreca që do të zhbllokonte shifrat.
Tre minuta më vonë do të ishte Eridon Qardaku që do të shënonte golin e dytë duke sjellë edhe qetësinë në kampin shkodran. Por goleada e vendasve nuk do të mbyllej këtu.
Në minutën e 86-të Ndreca do të shënonte golin e tretë, të dytin personal. Një minutë më vonë do të shënonte edhe Muhamedin Lisaj golin e katërt dhe të fundit.
Me këtë fitore, Vllaznia U19 është ngjitur në kuotën e 12 pikëve duke mbajtur vendin e dytë në renditje.
© shkodrasport.com