Tjetër fitore për Vllaznia U19 dhe për rrjedhojë ajo vazhdon të mbajë vendin e parë në renditje edhe pas ndeshjes së fundit të këtij viti duke u kurorëzuar kësisoj edhe “kampion dimri”.

Sot ndaj Internacional në fakt nuk ka qenë një fitore aspak e lehtë ndonëse në fund të 90 minutave të luajtura në “Reshit Rusi” kuqeblutë kanë triumfuar me rezultatin 3-1.

Pavarësisht përpjekjeve të të dy ekipeve, në pjesën e parë nuk ka patur gola dhe ajo është mbyllur në shifrat 0-0. E dyta nis ndryshe dhe ka qenë Rushiti ai që ka zhbllokuar rezultatin duke kaluar në avantazh Internacionalin.

Vllaznia U19 u gjet e papërgatitur nga ky gol i pësuar por ka reaguar menjëherë dhe ka arritur të barazojë në minutën e 70-të me anë të futbollistit Paolo Pjeshka.

Më pas do të ishte Mersian Muliu që në ’82 do të kalonte në avantazh ekipin shkodran ndërkohë që dy minuta më pas do të vinte edhe goli i tretë shënuar nga sulmuesi Ardit Nikaj. Përfundimisht 3-1 për Vllaznia U19 që me këtë fitore ngjitet në kuotën e 25 pikëve duke udhëhequr e vetme renditje.

Një kryesim i merituar i saj sepse e ka udhëhequr renditjen që nga java e parë e deri tek e dhjeta duke u shpallur me meritë kësisoj edhe “kampione dimri”./SHKODRA-SPORT.COM/