Vllaznia U19 ka bërë një hap të gabuar diten e sotme duke mos arritur dot të fitojë ndaj Dinamos duke humbur kështu mundësinë për të ngjitur disa shkallë në tabelën e renditjes.

Në ndeshjen e luajtur pasditen e sotme në fushën sportive “Reshit Rusi” është arritur barazimi 1-1 në këtë përballje. Ka qenë Dinamo që ka kaluar e para në avantazh që në minutën e 6-të me anë të Peshkut.

Vllaznia u gjend e papërgatitur nga pësimi i këtij goli dhe u mundua të reagonte megjithatë lojtarët e saj të repartit ofensiv nuk ia dolën të shënojnë duke humbur disa raste të pastra.

Pjesa e parë kësisoj është mbyllur me rezultatin 0-1 në favor të miqve. Në të dytën, ekipi shkodran i intensifikoi përpjekjet për të shënuar të paktën golin e barazimit dhe në fakt ia doli duke shënuar me anë të Ardit Nikajt në minutën e 77-të.

Pas këtij goli pati sërish përpjekje për të shënuar edhe golin e fitores megjithatë Vllaznia U19 nuk ia doli duke u mjaftuar kësisoj me barazimin 1-1. Me këtë pikë ajo është ngjitur në kuotën e 18 pikëve dhe mban vendin e gjashtë të renditjes.

Duhet thënë se ekipi shkodran në ndeshjet e fundit ka patur disa mungesa për shkak dëmtimesh dhe kartonash. Kështu ka ndodhur edhe sot kur me kartona kanë qenë Deda e Bizi, ndërkohë që vijojnë të jenë të dëmtuar Barbullushi, Asllani e ndonjë tjetër.
© shkodrasport.com