Paraditen e sotme është zhvilluar ndeshja e parë e “Uefa Youth League” në mes FC Astana të Kazakistanit dhe Vllaznisë. Vendasit kanë fituar me rezultatin 3-1 dhe në fakt shkodranët të vetmin gol e kanë shënuar në minutën e 90-të.

Në pamje të parë, kazakistanasit kanë dominuar në fushë por nuk ka qenë kështu. Sipas informacioneve të dhëna nga përgjegjësi teknik i Akademisë Vllaznia Alban Neziri që ka shoqëruar ekipin në këtë ndeshje, kuqeblutë kanë qenë të pafat.

Gjatë ndeshjes ata kanë goditur tre herë shtyllat e portës kundërshtare me anë të Palushanit, Lisajt dhe Shimës. Ja si shprehet Neziri për ndeshjen:

“Rezultati 3-1 nuk ishte më i përshtatshmi i ndeshjes për nga mënyra si u zhvillua ajo. Vërtetë u ndëshkuam që në sekondën e 40-të me 11-metërsh, që për mendimin tonë edhe mund të mos jepej, por vetëm tre minuta më vonë Lisaj duhej të kishte barazuar sepse doli i vetëm përballë portierit vendas.

Më pas rastet nuk na kanë munguar dhe këtë e tregon më së miri fakti se kemi goditur tre herë shtyllën e Astanës. Kjo e fundit mund të kishte shënuar edhe ndonjë gol tjetër por portieri Qarri ka bërë mrekullinë në fund.

Kësisoj, rezultati më i përshtatshëm i këtij takimi besoj se do kishte qenë 4-3 ose 5-4 për kazakistanasit. Megjithatë në Shkodër do të tentojmë kualifikimin dhe mundësitë i kemi për ta bërë këtë gjë”.
© shkodrasport.com